Lulzim Basha, duke folur mbi protestën e 21 Janarit 2011, kur ai shërbente si Ministër i Brendshëm, ka deklaruar se ka pasur një dilemë të fortë etike për dorëheqjen.
Por gjatë asaj periudhe, Basha tha se vendosi të mbante detyrën për të ruajtur rendin publik.
“Po, është e vërtetë. Çdo dilemë etike për të braktisur detyrën në ato ditë do të kishte pasoja të rënda për rendin publik. Kam bërë një zgjedhje në funksion të detyrës,” tha Basha në emisionin “Log.”
Endri Xhafo: A kërkuat të dorëhiqeshit atë ditë, por disa persona ju këshilluan të mos e bënit?
Lulzim Basha: Atë ditë dhe në javën në vijim çdo dilemë etike për të braktisur detyrën do të ishte me pasoja për një ngjarje të nderë të rendit publik. Kam bërë një zgjedhje jo të lehtë në funksion të interesit publik.
Endri Xhafo: Më kanë thënë që Lulzim Basha ka dashur të japë dorëheqjen si një mënyrë për t’i distancuar për atë që ndodhi…
Lulzim Basha: Po, është e vërtetë, por më bëre të them diçka që nuk ka vlerë sot. E vetmja vlerë që ka sot, është kjo, që në balancë ato dit%, ato javë ishim në prag të një shkalafitje shtetërore, të një shoqërie që 1 dekadë e gjysmë më parë kishte përjetuar diçka shumë të dhimbshme me kosto të lartë, duhet të prevalonte në fund gjithmonë interesi publik.
Në atë ngjarje kanë ndodhur shumë gjëra. Duhet një hetim i ndarë nga politika, duhet të merret në shqyrtim nga drejtësia çdo gjë nga momenti i parë te i fundit. Nuk më takon mua në veçanti ish-ministër i Brendshëm dhe i askujt tjetër që ka qenë pjesëtar në atë ngjarje të bëjë gjyqin në studion televizive sepse kjo është arsyeja se pse 13 vjet më vonë Rama nuk kërkon falje as për 21 janarin dhe as për marrjen e Ilir Metës, sebepin e 21 janarit…


