Teksa nuk dihet ende nëse e shtyu dikush apo u rrëzua vetë, rezultatet e testit toksikologjik duhet të japin një pasqyrë më të qartë rreth vdekjes tragjike të Liam Payne.
Një autopsi e pjesshme zbuloi se ish-këngëtari i One Direction, i cili vdiq në moshën 31-vjeçare, kishte substanca të shumta në sistemin e tij kur u rrëzua për vdekje nga ballkoni i katit të tretë të dhomës së tij të hotelit në Buenos Aires, më 16 tetor, thonë disa burime për ABC News.
Këto substanca përfshinin “kokainën rozë” – një drogë rekreative që zakonisht është një përzierje e disa drogave duke përfshirë metamfetaminën, ketaminë, MDMA dhe disa të tjera – si dhe kokainën, benzodiazepinën dhe crack-in.
Sipas burimeve, në dhomën e tij të hotelit u gjet edhe një tub alumini i improvizuar për të thithur drogën.
Një raport paraprak i autopsisë nga Zyra e Prokurorit Publik Argjentinas zbuloi se Payne vdiq nga traumat e shumta dhe gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme. 25 lëndime u raportuan në trupin e Payne. Raporti thoshte se dëmtimet në kokën e artistit ishin të mjaftueshme për të shkaktuar vdekjen.
Ministria e Sigurisë e Buenos Aires tha më parë për ABC News se substanca të shumta dhe objekte të thyera u gjetën në dhomën e hotelit të Payne.


