Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ka reaguar pasi emri i tij u përmend në Kuvend këtë të enjte dhe u akuzua se është emëruar nga krimi. Ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, që hodhi akuza të forta duke artikuluar disa biseda sekrete dhe të koduara nga platforma SKY ECC.
Mes tyre ai tha se ka biseda se si emëroheshin drejtorët e policive, përfshi atë të Shkodrës, ku përmendi edhe emrin e ministrit aktual të Brendshëm, Ervin Hoxha. Bardhi tha se “Mondi”, ku nënkupton kreun e Policisë së Shkodrës, Edmond Sulja, ka përdorur Sky Ecc.
Reagimi i plotë
Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësus i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cënojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.
Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.
Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal.
Faleminderit!



