TIRANË– Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar përmes një postimi në Facebook për 23-vjetorin e sulmit të 11 Shtatorit në New York.
Begaj shkruan se në këtë ditë, nderojmë viktimat por edhe forcën e qëndrueshmërinë e popullit amerikan. Ndërsa shton se kjo ditë shërben gjithashtu si kujtesë për luftën e vazhdueshme kundër terrorizmit.
“Kërcënimi i terrorizmit nuk është zhdukur, ai nuk njeh ngjyrë apo ideologji.”- thotë presidenti.
POSTIMI I PLOTË:
Sot, kujtojmë ngjarjet tragjike të 11 Shtatorit, 2001. Njëzet e tre vjet më parë, bota u trondit nga sulmet e paimagjinueshme që morën jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm në SHBA. Në këtë ditë, nderojmë viktimat por edhe forcën e qëndrueshmërinë e popullit amerikan. Kjo ditë shërben gjithashtu si kujtesë për luftën e vazhdueshme kundër terrorizmit. Kërcënimi i terrorizmit nuk është zhdukur; ai nuk njeh ngjyrë apo ideologji. Nuk duhet të harrojmë kurrë këtë! #NeverForget


