Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Ramjan të Vitisë, pasi 19-vjeçari Dion Emerllahu ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në një aksident trafiku në Itali.
Sipas njoftimit të Këshillit të Fshatit Ramjan, familja Emerllahu ishte nisur më 21 korrik nga Franca drejt Kosovës për të kaluar pushimet në vendlindje. Dioni udhëtonte me një automjet të veçantë, ndërsa prindërit e tij me një tjetër.
Aksidenti ndodhi pranë Milanos, ku automjeti që drejtonte 19-vjeçari u përplas me një mjet tjetër. Pas përplasjes, ai u transportua në një spital pranë Milanos, ku qëndroi disa ditë nën kujdesin e mjekëve, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Sipas familjarëve dhe bashkëfshatarëve, Dion Emerllahu ndërroi jetë më 24 korrik 2026, pikërisht në ditën kur festonte 19-vjetorin e lindjes. Ai po udhëtonte drejt Kosovës për të kaluar pushimet verore dhe për të festuar ditëlindjen me familjen dhe të afërmit.
Lajmi ka sjellë pikëllim të madh në komunitetin e Ramjanit, ndërsa Këshilli i Fshatit i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Emerllahu.
Autoritetet kanë bërë të ditur se për datën dhe orarin e ceremonisë së varrimit do të njoftohet në vijim.


