Pas mbylljes së Kupës së Botës 2026, FIFA ka veçuar dhjetë kombëtare me histori dhe traditë në futboll, të cilat pritet të luftojnë për një rikthim në skenën më të madhe të futbollit botëror në edicionin e vitit 2030. Në këtë listë përfshihen Italia, Danimarka, Polonia, Hungaria, Rumania, Nigeria, Kameruni, Kili, Peruja dhe Kosta Rika.
Vëmendje të veçantë ka marrë Italia, katër herë kampione e botës, e cila dështoi të sigurojë kualifikimin për të tretin Botëror radhazi. “Axurrët” e mbyllën grupin kualifikues pas Norvegjisë dhe më pas u eliminuan në finalen e “play-off”-it nga Bosnja dhe Hercegovina pas goditjeve të penalltive.
Kështu, Italia vazhdon të mungojë në Kupën e Botës që prej vitit 2014, kur u eliminua që në fazën e grupeve.
Edhe Danimarka mbeti jashtë Botërorit pasi humbi ndaj Skocisë në ndeshjen vendimtare të grupit dhe më pas u eliminua nga Republika Çeke pas penalltive në finalen e “play-off”-it. Ndërkohë, Polonia u mposht nga Suedia me rezultatin 3-2, duke mbetur gjithashtu jashtë turneut.
Hungaria, dy herë finaliste e Kupës së Botës, nuk ka marrë pjesë në një Botëror që nga viti 1986. Shpresat për rikthim u shuan pas humbjes ndaj Republikës së Irlandës në fazën finale të kualifikueseve.
Edhe Rumania nuk ia doli të sigurojë një biletë për në Botëror. Pasi avancoi në Ligën e Kombeve, ajo u eliminua nga Turqia me rezultatin 1-0 në gjysmëfinale. Pjesëmarrja e fundit e rumunëve në Kupën e Botës daton në vitin 1998.
Nga kontinenti afrikan, Nigeria humbi mundësinë për t’u kualifikuar për herë të dytë radhazi, pasi u eliminua nga Republika Demokratike e Kongos pas goditjeve të penalltive. Edhe Kameruni mbeti jashtë, duke u mposhtur 1-0 nga e njëjta kombëtare në fazën eliminatore.
Në Amerikën e Jugut, Kili dështoi të kualifikohej për të tretin Botëror radhazi, pasi e mbylli fushatën kualifikuese në vendin e fundit me vetëm dy fitore në 18 ndeshje. Edhe Peruja mbeti jashtë, duke u renditur në vendin e nëntë me dy fitore dhe vetëm gjashtë gola të shënuar gjatë gjithë eliminatoreve.
Në listën e FIFA-s bën pjesë edhe Kosta Rika, një tjetër kombëtare me eksperiencë në Kupën e Botës, e cila synon të rikthehet në elitën e futbollit botëror në turneun e vitit 2030.


