Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka njoftuar planin për ngritjen e tre bazave ushtarake të tipit “Nahal” në Rripin e Gazës, ndërsa ministri i Financave ka bërë të ditur një fond prej 1.3 miliardë shekelësh (rreth 318 milionë paund) për zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Njoftimet vijnë në një kohë kur koalicioni i djathtë i kryeministrit Benjamin Netanyahu po përpiqet të zgjerojë kontrollin mbi territoret palestineze përpara zgjedhjeve kombëtare të planifikuara për më 27 tetor.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se synon të krijojë tre bazaushtarake të tipit “Nahal” në veri të Gazës. Këto poste, të cilat historikisht kanë funksionuar fillimisht si baza ushtarake, shpesh janë shndërruar më pas në vendbanime civile izraelite.
Ndërkohë, ministri i Financave, Bezalel Smotrich, njoftoi financimin për dhjetëra vendbanime të reja në Bregun Perëndimor. Sipas mediave izraelite, qeveria e kishte miratuar këtë fond muajin e kaluar, por e kishte mbajtur të fshehtë për shkak të kundërshtimit të pritshëm nga Shtetet e Bashkuara.
Një tjetër zhvillim që ka shkaktuar reagime është deklarata e gjeneralmajorit Avi Bluth, komandant i forcave izraelite në Bregun Perëndimor, i cili gjatë një takimi me përfaqësues të disa vendbanimeve të paligjshme i cilësoi ata si “partnerë në siguri” të ushtrisë izraelite.
Shoqata me të cilën u takua Bluth përfaqëson disa vendbanime që konsiderohen të paligjshme edhe sipas ligjit izraelit. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, këto vendbanime kanë luajtur rol në zhvendosjen e palestinezëve nga tokat e tyre në Bregun Perëndimor.
Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut publikoi këtë javë një raport ku thuhet se dhuna e kolonëve është pjesë e përpjekjeve për aneksim, ndërsa autorët e akteve të dhunës gëzojnë pandëshkueshmëri.
Nga ana tjetër, organizata izraelite Peace Now deklaroi se puna për ndërtimin e të paktën shtatë vendbanimeve të reja është duke vazhduar dhe ato pritet të popullohen përpara zgjedhjeve.
Gjatë vizitës së tij në zonat e Gazës të kontrolluara nga Izraeli, ministri Katz përsëriti planin për ngritjen e tre postave “Nahal”. Eksperti Dror Etkes, themelues i organizatës Kerem Navot, tha se këto poste zakonisht përbëjnë fazën e parë drejt krijimit të vendbanimeve civile, siç ka ndodhur edhe në Bregun Perëndimor që nga viti 1967.
Smotrich kishte deklaruar edhe muajin e kaluar se projektet për tre vendbanime në Gaza janë gati dhe mund të nisin sapo kryeministri Netanyahu të japë miratimin përfundimtar.
Sipas raportimit, ministri Katz u shpreh se ndihej “mirë” duke parë zonat e Gazës të shkatërruara nga lufta.
Në të njëjtën kohë, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, gjeneralmajor Tamir Yadai, deklaroi se Izraeli kontrollon tashmë 65% të territorit të Gazës, një përqindje më e lartë se 53% e parashikuar në marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA.
Yadai deklaroi gjithashtu se në Gaza janë vrarë “mbi 70 mijë terroristë”. Kjo deklaratë ka shkaktuar polemika, pasi sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze, në mesin e të vrarëve janë mbi 21 mijë fëmijë, më shumë se 10 mijë gra dhe mbi 5 mijë të moshuar.
Ushtria izraelite nuk komentoi drejtpërdrejt mbi mënyrën se si janë klasifikuar viktimat, duke deklaruar se është ende në proces të verifikimit dhe analizimit të të dhënave për humbjet në Gaza.
Ndërkohë, ushtria refuzoi të komentojë edhe mbi deklaratat e gjeneralit Avi Bluth në lidhje me kolonët, duke theksuar se çështjet e vendbanimeve janë vendime që i takojnë nivelit politik.


