Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka vlerësuar raportin e Komisionit Evropian për Sundimin e Ligjit 2026, duke e cilësuar atë si një konfirmim të progresit të arritur nga Shqipëria në zbatimin e reformës në drejtësi.
Përmes një reagimi publik, Gogu theksoi se raporti evidenton përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar (vetting), rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit, si dhe përmirësimet në integritetin, transparencën dhe llogaridhënien e sistemit të drejtësisë.
Sipas ministrit, dokumenti i Komisionit Evropian vlerëson gjithashtu rritjen e eficiencës së sistemit gjyqësor dhe hapat e ndërmarrë për përafrimin e legjislacionit dhe institucioneve shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian.
“Reforma në drejtësi po jep rezultate. Raporti i Sundimit të Ligjit 2026 i Komisionit Evropian vlerëson përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar, rezultatet në luftën kundër korrupsionit, forcimin e integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë, përmirësimin e eficiencës së sistemit gjyqësor dhe avancimin e përafrimit të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Gogu.
Ministri nënvizoi se raporti nuk ndalet vetëm te arritjet, por evidenton edhe sfidat që mbeten për t’u adresuar. Ai përmendi nevojën për rritjen e mëtejshme të eficiencës së sistemit gjyqësor, plotësimin e kapaciteteve njerëzore, përfundimin e procesit të digjitalizimit të drejtësisë, forcimin e konsultimit publik dhe vijimin e masave kundër korrupsionit.
“Çdo vlerësim pozitiv është një nxitje për të ecur përpara, ndërsa çdo rekomandim është një mundësi për t’u përmirësuar. Kështu ndërtohet një drejtësi më e fortë dhe kështu afrohet Shqipëria çdo ditë më shumë me Bashkimin Evropian”, përfundoi ministri i Drejtësisë.


