Autoritetet portuale në Korfuz kanë arrestuar një kapiten shqiptar 45-vjeçar, pasi trageti që ai drejtonte dyshohet se transportonte më shumë pasagjerë sesa lejonte certifikata e lundrimit.
Sipas njoftimit të Autoritetit Qendror Portual të Korfuzit, trageti me flamur të Saint Kitts and Nevis po kryente linjën nga një port në Shqipëri drejt Korfuzit. Pas mbërritjes në port, autoritetet kryen një kontroll dhe konstatuan se në bord ndodheshin më shumë pasagjerë se numri maksimal i autorizuar.
Si pasojë, kapiteni u arrestua nën dyshimin për shkelje të dispozitave të Kodit të së Drejtës Publike Detare, si dhe të legjislacionit që rregullon transportin e pasagjerëve, menaxhimin e rasteve të mbingarkesës dhe procedurat për regjistrimin e tyre.
Sipas raportimeve, Autoriteti Qendror Portual i Korfuzit ka nisur hetimet paraprake për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, ndërsa paralelisht kanë filluar edhe procedurat për vendosjen e sanksioneve administrative të parashikuara nga ligji.


