Kryeinxhinieri i termocentralit bërthamor të Zaporizhias, i cili ndodhet nën kontrollin e forcave ruse, është vrarë në një sulm me dron pranë objektit, sipas njoftimit të kreut të agjencisë ruse të energjisë bërthamore Rosatom.
Alexei Likhachev deklaroi se një dron ukrainas goditi një automjet shërbimi që po udhëtonte mes termocentralit dhe qytetit të Enerhodarit. Nga sulmi humbën jetën kryeinxhinieri Alexander Yakovlev dhe drejtuesi i automjetit.
Autoritetet ruse e kanë akuzuar Ukrainën për sulmin, ndërsa deri më tani pala ukrainase nuk ka dhënë një reagim zyrtar lidhur me pretendimet.
Termocentrali bërthamor i Zaporizhias, më i madhi në Europë, ndodhet nën kontrollin e forcave ruse që prej marsit të vitit 2022, pak ditë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Ditët e fundit, Moska ka akuzuar Kievin për përshkallëzim të sulmeve ndaj objektit, duke i cilësuar ato si veprime “terroriste”. Ndërkohë, situata rreth centralit ka qenë vazhdimisht në fokus të shqetësimeve ndërkombëtare për shkak të rrezikut të mundshëm bërthamor.


