Astronomët kanë zbuluar një planet jashtëzakonisht të zbehtë, i cili kishte mbetur i padukshëm për rreth 11 vjet duke orbituar një yll të ri. Zbulimi konsiderohet i veçantë, pasi bëhet fjalë për planetin më të zbehtë të fotografuar ndonjëherë drejtpërdrejt nga Toka.
Në një rast të rrallë, dy ekipe të pavarura shkencëtarësh arritën ta identifikojnë të njëjtin planet vetëm disa ditë larg njëri-tjetrit, në fund të vitit të kaluar, duke përdorur teleskopë të ndryshëm.
Ekipi i parë, me studiues nga Skocia dhe Gjermania, e zbuloi planetin pranë yllit Beta Pictoris, duke përdorur teleskopin shumë të fuqishëm optik “Very Large Telescope” (VLT) të Observatorit Evropian Jugor në Kili. Më pas, studiuesit analizuan të dhënat e vjetra të ruajtura në arkiva dhe konfirmuan orbitën e tij.
Planeti kishte mbetur i fshehur për vite me radhë për shkak të dritës së fortë të yllit të tij dhe pranisë së dy planetëve të tjerë në të njëjtin sistem, të cilët e bënin shumë të vështirë dallimin.
“Ishte sikur po luante kukafshehti me ne për 11 vjet”, u shpreh Markus Bonse nga Observatori Evropian Jugor, një prej drejtuesve të ekipit të zbulimit.
Një ekip i dytë, i udhëhequr nga shkencëtarë nga Kalifornia, arriti të konfirmojë ekzistencën e planetit duke përdorur teleskopin hapësinor James Webb të NASA-s. Vetëm dy vëzhgime me këtë teleskop mjaftuan për të identifikuar trupin qiellor.
Rezultatet e të dy ekipeve u publikuan në revistën shkencore “Astrophysical Journal Letters”. Për të garantuar pavarësinë e kërkimit, grupet nuk kishin komunikuar me njëri-tjetrin deri në përfundimin e analizave.
Zbulimi ishte i papritur, pasi shkencëtarët po studionin një nga planetët tashmë të njohur të sistemit “Beta Pictoris”, kur vunë re një objekt tjetër shumë më të vogël në masë dhe rreth 100 herë më të zbehtë, që ndodhej më larg nga ylli.
Planeti i ri është pak më i madh se Jupiteri dhe i duhen rreth 91 vite për të përfunduar një orbitë të plotë rreth yllit të tij. Për krahasim, Urani në Sistemin Diellor ka nevojë për rreth 84 vite për të kryer një rrotullim rreth Diellit.
Sistemi “Beta Pictoris” është vetëm rreth 20 milionë vjeç, shumë më i ri se Sistemi Diellor, i cili është rreth 4.5 miliardë vjeç. Për këtë arsye, studiuesit besojnë se planeti mund të jetë i ngjashëm me një Jupiter në fazat e para të zhvillimit.
Shkencëtarët mendojnë se në këtë sistem planetët gjigantë me gaz janë formuar tashmë, ndërsa planetët shkëmborë, të ngjashëm me Tokën, mund të jenë ende në proces krijimi.
Sipas studiuesit Aidan Gibbs nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego, sistemi “Beta Pictoris” përbën një nga shembujt më të rëndësishëm për të kuptuar mënyrën se si zhvillohen sistemet planetare menjëherë pas formimit të tyre.
Ylli “Beta Pictoris” ndodhet në yjësinë jugore Piktori, rreth 63 vite-dritë larg Tokës. Një vit-dritë është distanca që përshkon drita brenda një viti, rreth 9.5 trilionë kilometra.
Deri tani janë konfirmuar më shumë se 6 mijë ekzoplanetë, por më pak se 100 prej tyre janë fotografuar drejtpërdrejt. Shumica e planetëve të zbuluar janë identifikuar përmes metodës së kalimit përpara yllit të tyre, kur ata bllokojnë përkohësisht një pjesë të dritës së yllit.
“Tani kemi krijuar një pamje shumë më të qartë të këtij planeti dhe mezi presim të zbulojmë më shumë për të”, tha Ben Sutlieff nga Universiteti i Edinburgut.


