Zhvillime të reja janë regjistruar në hetimet për abuzimin e dyshuar me fondet në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku dëmi ekonomik i dyshuar mund të arrijë deri në 3 milionë euro.
Pas shkarkimit të drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe referimit të çështjes në Prokurori, Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare ka komanduar në krye të filialit Shpresa Ismailin, e cila më parë mbante detyrën e shefes së Burimeve Njerëzore.
Ndërkohë, në Durrës është rikthyer grupi i auditit të brendshëm, i cili do të zhvillojë një kontroll të thelluar financiar dhe administrativ gjatë muajit korrik.
Audituesit do të verifikojnë dokumentacionin financiar, rakordimin e fondeve dhe të gjitha lëvizjet financiare të filialit, për të përcaktuar nëse shkeljet e konstatuara deri tani janë raste të izoluara apo pjesë e një skeme më të gjerë abuzimi.
Kallëzimi penal i bërë nga Posta Shqiptare ndaj drejtuesve të filialit i është caktuar me short prokurorit Gazmend Frëngu. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se në të njëjtën dosje pritet të bashkohen edhe dy kallëzime të tjera, ai i ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe ai i ish-shefes së Financës, Valbona Duni.
Dy ish-zyrtaret kanë ngritur akuza ndaj njëra-tjetrës për shpërdorim detyre, përvetësim fondesh dhe falsifikim të dokumentacionit financiar, ndërsa kanë kërkuar një hetim të plotë për veprimet e kryera në filial.
Sipas gjetjeve paraprake të auditit, mungojnë rreth 700 mijë euro, ose 69 milionë lekë, në shërbimin e pagesave. Megjithatë, hetimet po shqyrtojnë mundësinë që dëmi ekonomik total të jetë dukshëm më i lartë, duke arritur deri në 3 milionë euro.
Përfundimet e auditit të ri do t’i kalojnë Prokurorisë, e cila do të përcaktojë përgjegjësitë konkrete dhe nëse janë konsumuar vepra penale në administrimin e fondeve publike. Deri në përfundimin e hetimeve, të gjitha pretendimet e palëve mbeten objekt verifikimi nga organet e drejtësisë.


