Shtëpia e Bardhë ka nisur një hetim të gjerë për të identifikuar burimin e rrjedhjes së informacionit lidhur me shqetësimet e sigurisë për një avion Boeing 747, të dhuruar nga Katari dhe i destinuar për përdorim si Air Force One.
Sipas CNN, disa zyrtarëve federalë u është kërkuar të dorëzojnë telefonat celularë, të cilët do t’i nënshtrohen verifikimeve në kuadër të hetimit. Operacioni u drejtua nga shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, në bashkëpunim me drejtorin e FBI-së, Kash Patel.
Burimet bëjnë të ditur se Patel kaloi rreth shtatë orë në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, ku u ngrit një qendër koordinimi e përshkruar si një “dhomë lufte”, për të menaxhuar hetimin.
Sipas raportimit të CNN, Presidenti Donald Trump reagoi me zemërim pas publikimit të detajeve mbi mangësitë e sigurisë së avionit, duke kërkuar identifikimin e personave përgjegjës për rrjedhjen e informacionit.
Përveç kontrollit të telefonave celularë, hetuesit morën në pyetje zyrtarë që kishin marrë pjesë në udhëtimet presidenciale ose kishin rol në organizimin e tyre. Megjithatë, disa prej tyre refuzuan të dorëzonin pajisjet personale.
Raportimet tregojnë gjithashtu se të paktën një agjenci federale u ka udhëzuar punonjësve të saj që, nëse kontaktohen nga agjenci të tjera për të dhënë informacione ose për të dorëzuar pajisje elektronike, të njoftojnë menjëherë zyrën ligjore të institucionit.
Hetimi u bë publik pak pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë lëshoi fletëthirrje për katër gazetarë të “The New York Times”, të cilët kishin raportuar mbi shqetësimet e sigurisë që lidhen me avionin. Gazeta ka bërë të ditur se do t’i kundërshtojë fletëthirrjet në gjykatë, ndërsa organizatat për lirinë e medias kanë shprehur shqetësim për këtë veprim.
Në qendër të çështjes është një avion Boeing 747, me vlerë rreth 400 milionë dollarë, i dhuruar nga Katari për përdorim presidencial. Fillimisht, Trump kishte planifikuar ta përdorte gjatë një udhëtimi ndërkombëtar, por më pas vendosi të vazhdonte përdorimin e Air Force One aktual.
Sipas burimeve të CNN, gjatë vlerësimeve të fundit u konstatua se, megjithëse avioni i ri ishte pajisur me disa sisteme mbrojtëse, ai nuk ofronte ende të njëjtin nivel sigurie si avioni presidencial ekzistues.
Burime nga ushtria amerikane dhe Shërbimi Sekret e kanë cilësuar avionin si të futur në përdorim me nxitim. Ndërkohë, avionët e rinj presidencialë të porositur më herët nuk pritet të hyjnë në shërbim përpara vitit 2028, pasi kërkojnë instalimin e sistemeve të avancuara të komunikimit dhe mbrojtjes.


