Numri i personave që vuajnë nga hipertensioni është në rritje ndërsa mes tyre ka gjithnjë e më shumë të rinj të grupmoshës 18-19 vjeç. Mjeku kardiolog Taulant Gishto rendis disa nga faktorët të cilët kanë ndikuar në shtimin e këtyre rasteve.
“Hipertensioni tashme është bërë një sëmundje e njohur nga të gjithë, është një sëmundje kronike e cila prek çdo moshë , nga të rejat deri tek më të avancuarat. Moshat më të reja që kemi ne, kemi dhe mosha 18-19 vjeç me hipertensioni që më përpara konsiderohej tabu, ndërsa moshat nën 30 vjeç janë të zakonshme në vizitë. Arsyet janë nga më të ndryshmet, që nga jeta sedentare, që nga dieta jo e mirë ose kalorike, që nga përdorimi i drogave që në moshat e reja është një përhapje masive, kryesisht e kokainës dhe heroinës të cilat indirekt nëpërmjet mekanizmave vazokonstruktor ndikojnë në rritje e rezistencave periferike dhe në aktivizimin e hipertensionit”, tha Taulant Gishto, mjek kardiolog.
Megjithatë sipas kardiologut vitet e fundit, është vënë re një ndërgjegjësim më i madh i popullatës për kryerjen e kontrolleve periodike.
“Sot ka një ndërgjegjësim masiv të të rinjve në moshat nën 45 vjeç vinë për kontroll rutinë njëherë në vit, ndërsa ata që janë me hipertension në këtë moshë vizitën rutinë e kanë 6-mujorshe. Vitet e fundit falë dhe informacionit falë dhe teknologjisë mund të themi që njerëzit janë bërë të varur, të adiktuar”, tha mjeku Gishto.
Në këto ditë të nxehta vere, mjeku Gishto u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar për shëndetin e zemrës, duke respektuar këshillat mjekësore.
“Këshilla e parë dhe e rëndësishme është evitimi i orëve të pikut, që do të thotë ora 10 e paradites me 5 pasdite duhet të jetë orar që të evitohet nga kushdo. Cdo aktivitet fizik ekspozim të behet para orës 10 dhe pas orës 5 mbasdite. E dyta pozicionimi i këtyre individëve sidomos nëse janë të sëmurë kardiovaskular në ambiente të freskëta. Pra në një ambient me ajër të kondicionuar. Elementi i tretë është hidratimi i mirë, që do të thotë përdorimi i ujit, i lëngjeve dhe i frutave”, shtoi mjeku.
Të dhënat e OBSH tregojnë se rreth 47% e shqiptarëve të moshës 30–79 vjeç vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, një shifër shumë më e lartë se mesatarja botërore prej 34%.


