Ministria e Financave parashikon të dalë përsëri në tregjet ndërkombëtare në 2027-ën për të marrë një eurobond me vlerë 650 milionë euro, që do të përdoret kryesisht për shlyerjen e një borxhi të mëparshëm. Në kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal është që vendi deri në 2029-ën të dalë 2 herë në tregjet ndërkombëtare për të siguruar financim.
***
Vendi po bëhet gati për të dalë përsëri në tregjet ndërkombëtare për të marrë eurobond.
Pas ‘pushimit’ këtë vit pasi financimi i nevojshëm po sigurohet në tregun e brendshëm, në 2027-ën është planifikuar dalja e radhës në tregjet e kapitalit për të marrë përsëri 650 milionë euro, e që do të përdoret kryesisht për të shlyer borxhin në valutë dhe sidomos eurobondet ekzistuese.
Në kuadrin Makroekonomik 2027-2029 të rishikuar, është rritur vlera e eurobondit që do të kërkohet nga 49.1 miliardë lekë (500 mln euro) që ishte parashikuar në janar, në 62.5 miliardë lekë (650 mln euro), në dokumentin e miratuar së fundmi në qeveri.
Gjithashtu është parashikuar të merret po 650 milion euro borxh në tregun e huaj edhe në 2028-ën, vlerë që vjen më e lartë në raport me kuadrin makroekonomik e fiskal të miratuar në janar të këtij viti që ishte për eurobond 600 milionë euro.
Dalja e fundit në tregjet ndërkombëtare ishte në shkurt të vitit te kaluar, kur u emetua eurobondi 10- vjeçar, me shumë 650 milionë euro. Ndërkohë gjatë viteve 2010-2025 janë marrë në total 7 Eurobonde, ku 3 prej tyre janë maturuar dhe 4 të tjerë po paguhen.
Deri në qershor të vitit 2027 vendi duhet të shlyejë 650 milionë eurot e marra në 2020-ën dhe brenda 2028-ës mbyllet borxhi 600 milionë euro i marrë në 2023-shin. Sa i takon dy euronondeve ai i vitit 2021 dhe ai i 2025-ës mbyllen pas 2030-ës.
Dalja me Eurobond në tregjet ndërkombëtare konsiderohet burim i rëndësishëm i financimit, për shkak të kohëzgjatjes së shlyerjes.
Referuar raportit të Ministrisë së Financave borxhi i vendit ra për herë të parë nën 50% në tremujorin e parë të këtij viti. Aktualisht stoku i borxhit publik është 14.4 miliard euro, ose sa 48.79% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.


