Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-Emirit të Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjen mbretërore dhe popullin e Katarit.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama e cilëson ish-Emirin e Katarit një “burrë shteti vizionar” dhe një udhëheqës që hodhi themelet e transformimit të vendit.
“Një burrë shteti vizionar dhe një udhëheqës historik, ai ia kushtoi jetën e tij përparimit të Katarit dhe hodhi themelet për një nga transformimet më të jashtëzakonshme kombëtare të kohës sonë”, shkruan Rama.
Kryeministri shqiptar vlerësoi zhvillimin e Katarit, duke theksuar se vendi është shndërruar në një shembull të transformimit ekonomik, kulturor dhe institucional.
Rama theksoi gjithashtu marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Katarit, duke i cilësuar ato si raporte miqësie, respekti të ndërsjellë dhe bashkëpunimi në rritje.
Në mesazhin e tij, kryeministri i shprehu ngushëllimet Emirit aktual të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, familjes Al Thani, kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, si dhe popullit të Katarit.


