Ushtria holandeze ka nisur testimin e një modeli të ri kampi për robërit e luftës në Marnehuizen, duke u përgatitur për mundësinë e një konflikti të madh ku mund të kapen deri në 2 mijë ushtarë rusë.
Sipas gazetës holandeze AD, kjo është hera e parë në më shumë se 30 vite që Holanda zhvillon një trajnim në këtë shkallë për menaxhimin dhe mbajtjen e robërve të luftës.
Stërvitja është pjesë e një ndryshimi më të gjerë në planifikimin ushtarak të vendeve europiane, ku skenarët e kapjes së një numri të madh ushtarësh kundërshtarë po konsiderohen sërish si mundësi reale.
Objekti i përkohshëm është ngritur në zonën stërvitore ushtarake në Groningen dhe synon të tregojë se si mund të përpunohen, kontrollohen dhe mbahen një numër i madh të burgosurish larg vijës së frontit.
Gjeneralja Nicole de Wolf, komandante e Komandës së Mbështetjes Operacionale të Ushtrisë holandeze, tha se qëllimi nuk është rikrijimi i modeleve të vjetra të kampeve të robërve të luftës.
Ndryshe nga kampet tradicionale, objekti i ri mbështetet kryesisht te teknologjia moderne. Në vend të kullave me roje, zona monitorohet përmes shtyllave të pajisura me kamera të avancuara, ndërsa një dron mund të përdoret për të transmetuar pamje në kohë reale drejt qendrës së komandës.
Brenda kampit, të burgosurit do të akomodohen në godina të vogla të bardha, me krevate marinari. Oficerët dhe ushtarët nuk do të ndahen nga njëri-tjetri, por do të qëndrojnë në grupe të përziera prej rreth 20 personash për njësi.
Çdo njësi do të ketë hapësirën e saj të jashtme, ndërsa kampi do të përfshijë ambiente të përbashkëta për dushe, ushqim dhe një pikë mjekësore.
Të burgosurve do t’u merren pajisjet personale, përfshirë telefonat celularë, por do t’u lejohet komunikimi me familjarët përmes letrave.
“Qëllimi është që ata të kenë kushte akomodimi të paktën po aq të mira sa ato ku jetojnë trupat tona”, deklaroi gjeneralja de Wolf.
Ajo tha se ushtria holandeze ka analizuar edhe modelet e përdorura gjatë Luftës së Ftohtë, jo për t’i kopjuar ato, por për të kuptuar kërkesat praktike që duhet të plotësojë një kamp i tillë.
“Ne nuk i përdorëm ato modele të vjetra për t’i kopjuar fjalë për fjalë, por për të rikthyer njohuritë mbi atë që një kamp i tillë duhet të përmbushë në të vërtetë”, u shpreh De Wolf.


