Princi Harry ka treguar një mënyrë të veçantë përmes së cilës ai, bashkëshortja e tij Meghan Markle dhe dy fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet, nderojnë kujtimin e Princeshë Dianës në ditëlindjen dhe përvjetorin e vdekjes së saj.
Duka i Sussex-it zbuloi se familja përgatit një tortë me limon në kujtim të nënës së tij, një traditë familjare që, sipas tij, ka një rëndësi të veçantë emocionale.
“Po, ne bëjmë tortë me limon”, i tha Harry një 16-vjeçari gjatë një aktiviteti në kuadër të festivalit veror të organizuar nga organizata bamirëse “Scotty’s Little Soldiers” në Britani.
I pyetur nëse bën diçka të veçantë për të përkujtuar ditëlindjen e Dianës më 1 korrik dhe përvjetorin e vdekjes së saj më 31 gusht, Harry tha se ruajtja e traditave është shumë e rëndësishme për të.
“Mendoj se traditat janë vërtet shumë të rëndësishme, veçanërisht kur janë të ëmbla”, u shpreh ai.
Princeshë Diana humbi jetën në moshën 36-vjeçare, pas një aksidenti automobilistik në Paris në vitin 1997, kur Harry ishte vetëm 12 vjeç. Humbja e saj ka qenë një temë për të cilën Duka i Sussex-it ka folur shpesh ndër vite, duke treguar vështirësitë emocionale që ka përjetuar pas vdekjes së nënës së tij.
Gjatë një fjalimi për shëndetin mendor në Australi, Harry ka deklaruar se dhimbja e humbjes mund të jetë shumë e rëndë, sidomos kur përjetohet në fëmijëri.
“Humbja nuk zhduket vetëm sepse e injorojmë”, ka thënë ai, duke shtuar se përballimi i dhimbjes kërkon kohë dhe mbështetje.
Harry, i cili është ambasador global i organizatës “Scotty’s Little Soldiers”, mori pjesë në aktivitetin bamirës në Britani, ku takoi fëmijë dhe familje që kanë humbur të afërm në shërbim ushtarak.
Ndërkohë, gjatë kësaj vizite në Mbretërinë e Bashkuar, Princi Harry, Meghan Markle dhe fëmijët e tyre patën edhe një takim privat me Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla në rezidencën Highgrove. Ky ishte takimi i parë fizik i Meghan dhe fëmijëve me çiftin mbretëror pas katër vitesh.


