Mbretëria e Bashkuar po përjeton një nga periudhat më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, pasi temperaturat kanë thyer rekorde historike dhe viti 2026 është shpallur tashmë si viti me numrin më të lartë të ditëve me nxehtësi ekstreme.
Zyra Meteorologjike britanike regjistroi temperaturën 35.2 gradë Celsius në Coton-in-Elms, në Derbyshire, duke shënuar vlerën më të lartë të këtij viti.
Sipas meteorologëve, ky është viti i parë në historinë e matjeve në Britani që temperaturat kanë kaluar 35 gradë Celsius në tre muaj radhazi: maj, qershor dhe korrik. Deri tani janë regjistruar nëntë ditë me temperatura prej të paktën 34 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të viteve 1976 dhe 2020, kur ishin shënuar pesë ditë të tilla.
Sipas parashikimeve të Zyrës Meteorologjike, vala e të nxehtit pritet të arrijë kulmin të premten, ndërsa temperaturat mbi 30 gradë Celsius do të vijojnë edhe gjatë fundjavës në disa rajone të vendit.
Meteorologia Amy Doherty e cilësoi vitin 2026 si të pazakontë për temperaturat e larta, duke theksuar se rekordet e reja tregojnë intensitetin në rritje të valëve të të nxehtit që kanë prekur Britaninë.
Moti ekstrem ka shtuar gjithashtu shqetësimet për furnizimin me ujë. Kompania Anglian Water ka vendosur kufizime për rreth 5 milionë konsumatorë në lindje të Anglisë, duke ndaluar përdorimin e zorrëve të ujit për ujitjen e kopshteve, larjen e automjeteve dhe mbushjen e pishinave.
Edhe kompanitë Affinity Water dhe Southern Water kanë njoftuar masa të ngjashme për shkak të temperaturave të larta dhe rritjes së konsumit të ujit.
Ndërkohë, Policia Metropolitane u ka bërë thirrje qytetarëve që numri i emergjencës 999 të përdoret vetëm për situata urgjente, pas rritjes së ndjeshme të thirrjeve gjatë ditëve me temperatura ekstreme.


