Një 57-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lushnjës, pasi dyshohet se ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme në pronën e fqinjit.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga u vu shtetasi I. K., 57 vjeç, banues në fshatin Lumth, pas veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë.
Nga hetimet rezulton se një ditë më parë, 57-vjeçari ndezi zjarr në pronën e tij për të djegur mbeturinat, por flakët u përhapën në tokën e fqinjit, shtetasit A. A., ku u dogjën një mjet bujqësor (zetor), një rimorkio dhe baza ushqimore për blegtorinë.
Gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin në pronën e tij, A. A. pësoi djegie në trup. Ai u transportua në Spitalin e Lushnjës, ku po merr mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.


