Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Colle di Val d’Elsa në Itali, ku ka humbur jetën tragjikisht 33-vjeçari shqiptar nga Vlora, Xhovalin Musaraj.
Sipas mediave italiane, i riu u zhduk pasditen e së dielës, pasi u hodh për t’u larë në lumin Elsa, në zonën mes Gore Rotte dhe urës së Spugnës. Ai nuk arriti të dilte më në sipërfaqe, duke alarmuar familjarët që ndodheshin me të.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës 118, zhytësit e zjarrfikësve nga Livorno, të transportuar me helikopterin “Drago 127”, si dhe karabinierët e Poggibonsit. Pas disa orësh kërkime intensive, rreth orës 19:00, zhytësit gjetën trupin e pajetë të 33-vjeçarit.
Shkaqet e sakta të vdekjes mbeten ende të paqarta. Sipas raportimeve paraprake, dyshohet se ngjarja mund të jetë shkaktuar nga një problem i papritur shëndetësor, ndryshimi i menjëhershëm i temperaturës mes ajrit dhe ujit, ose nga një rrymë e fortë nënujore. Deri më tani, autoritetet italiane nuk kanë konfirmuar shkakun e vdekjes.
Raportohet se, për momentin, nuk është parashikuar kryerja e autopsisë, ndërsa pritet që hetimet të mbështeten në ekzaminimin e jashtëm të trupit.
Humbja e Xhovalin Musarajt ka sjellë dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe komuniteti shqiptar në Itali, të cilët po përjetojnë me pikëllim këtë ngjarje tragjike.


