Kombëtarja e Zvicrës është plotësisht e motivuar në prag të çerekfinales së madhe të Kupës së Botës ndaj kampiones në fuqi, Argjentinës, takim që do të zhvillohet në Kansas City.
Kapiteni Granit Xhaka ka theksuar se skuadra e tij është e vendosur të realizojë një nga surprizat më të mëdha të këtij edicioni të turneut. Për disa prej futbollistëve zviceranë, kjo do të jetë edhe hera e parë që do të përballen me Lionel Messin.
Mesfushori shqiptar u shpreh se presioni që shoqëron këtë fazë të garës është kthyer në një motivim shtesë për ekipin, i cili synon të vazhdojë rrugëtimin në Botëror.
“Kur je kaq afër, dëshira bëhet edhe më e madhe. Ky është një lloj presioni pozitiv për ne, sepse duam të vazhdojmë më tej”, deklaroi Xhaka.
Kapiteni i Zvicrës foli edhe për mundësinë e përballjes me Lionel Messin, duke e cilësuar atë një privilegj të madh për çdo futbollist.
“Është një privilegj i madh të luajmë në epokën e Messit dhe Cristiano Ronaldos. Ende nuk e kemi analizuar në detaje Argjentinën, por nga nesër do të nisim një analizë shumë të thellë”, shtoi ai.
Zvicra do të ketë përpara një sfidë jashtëzakonisht të vështirë nga ana taktike, pasi do të duhet të frenojë repartin ofensiv të Argjentinës, ekip që ka shënuar në secilën prej pesë ndeshjeve të fundit në Kupën e Botës.
Lionel Messi kryeson listën e golashënuesve të turneut me tetë gola dhe konsiderohet kërcënimi më i madh për mbrojtjen zvicerane.
Për të eliminuar kampionët e botës, Zvicra do të duhet të zhvillojë një paraqitje pothuajse perfekte ndaj skuadrës së drejtuar nga Lionel Scaloni, e cila mbërrin në këtë çerekfinale me një seri prej 12 fitoresh radhazi në të gjitha garat.


