Policia e Shtetit është pajisur me dhjetëra motoçikleta të reja, të cilat do të vihen në dispozicion të Policisë Rrugore dhe forcave speciale “Shqiponja”. Investimi është realizuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, përmes të ardhurave të siguruara nga administrimi i pasurive të konfiskuara që kanë burim aktivitetin kriminal.
Në ceremoninë e dorëzimit të mjeteve mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i cili e cilësoi këtë investim si një shembull konkret të rikthimit në shërbim të qytetarëve të pasurive të përfituara nga krimi.
“Sot është një ditë e mirë për Policinë e Shtetit. Jo vetëm sepse flotës së saj i shtohen dhjetëra motoçikleta të reja që do të përdoren nga Policia Rrugore dhe forcat ‘Shqiponja’, por sepse këto mjete përfaqësojnë një vizion të qartë të qeverisë sonë në luftën kundër krimit”, u shpreh Lamallari.








Sipas ministrit, goditja e bazës ekonomike të grupeve kriminale mbetet një nga mjetet më të rëndësishme në luftën kundër krimit, ndërsa pasuritë e konfiskuara po rikthehen në shërbim të institucioneve që garantojnë sigurinë publike.
Gjatë fjalës së tij, Lamallari iu drejtua efektivëve të Policisë së Shtetit, duke i falënderuar për profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e treguar gjatë protestave të fundit.
“Ju dhe kolegët tuaj keni kaluar një periudhë të ngarkuar dhe sfiduese, jo vetëm në terren, por edhe në sheshin e pamëshirshëm të opinionit publik. Keni përballuar provokime, akuza dhe gjykime të nxituara, aty ku shpesh rrjetet sociale flasin para se të flasin vetë faktet dhe shpallin gjyqe publike”, tha ministri.
Ai theksoi se punonjësit e policisë duhet të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin përballë situatave të vështira, duke nënvizuar se uniforma që mbajnë kërkon përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje.
“Vazhdoni kështu, pa e humbur kurrë durimin dhe pa rënë pre e provokimeve. Uniforma që mbani kërkon vetëpërmbajtje përballë atyre që nuk respektojnë as ligjin dhe as institucionet. Policia nuk duhet të përgjigjet me emocion, ajo përgjigjet me ligj. Ky është dallimi mes shtetit dhe kaosit”, u shpreh Lamallari.
Duke iu referuar rasteve të diskutuara gjerësisht në opinionin publik dhe rrjetet sociale, ministri kërkoi që çdo pretendim ndaj efektivëve të hetohet mbi bazën e fakteve dhe provave.
“Çdo pretendim duhet hetuar deri në fund, çdo shkelje, çdo procedurë duhet ndëshkuar. Por po aq i rëndësishëm është edhe një parim tjetër: askush nuk duhet të dënohet publikisht mbi bazën e perceptimeve, montazheve apo zhurmës virtuale. E vërteta lind vetëm nga hetimi i plotë dhe drejtësia e ndërtuar mbi prova”, deklaroi ai.
Në fund, Lamallari garantoi mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të qeverisë për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke vlerësuar rolin e tyre në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve.
“Çdo ditë mijëra efektivë policie, gra dhe burra, dalin nga shtëpitë e tyre pa ditur se çfarë i pret deri në fund të ditës. Ata dalin për të mbrojtur jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve. Ministria e Punëve të Brendshme, unë personalisht dhe qeveria shqiptare janë dhe do të jenë gjithmonë në krahun tuaj, sepse ju zbatoni ligjin me ndershmëri, integritet dhe durim”, përfundoi ministri.

