Nënë e bijë, të mbijetuara të aksidentit tragjik të 30 qershorit në autostradën Tiranë–Durrës, po përballen me pasoja të rënda fizike dhe psikologjike, pasi humbën gjymtyrë si pasojë e përplasjes që i mori jetën shoferit të autobusit dhe la të plagosur edhe 12 pasagjerë.
Ornela Lazaj, vajza dhe motra e të aksidentuarave, ka rrëfyer momentet dramatike që përjetoi familja pasi mësoi për ngjarjen.
Ajo tregoi se nëna dhe motra po udhëtonin nga Greqia drejt Beratit për të marrë pjesë në përvjetorin e vdekjes së vëllait të nënës. Familja humbi kontaktet me to gjatë kthimit dhe aksidentin e mësoi fillimisht nga mediat.
“Nuk gjej fjalë të përshkruaj gjendjen tonë aktuale. Mami u nis nga Greqia se kishte përvjetorin e të vëllait në Berat dhe një ditë më parë fola me mamin dhe motrën. Ditën tjetër nuk kisha kontakt kur ato po ktheheshin dhe e kemi marrë vesh nga mediat që ka ndodhur një aksident.
Babi e dëgjoi në media dhe, i shqetësuar se mami dhe motra nuk po i hapnin telefonin, kontaktoi të afërmit në Shqipëri.
Kur kanë shkuar në Spitalin e Traumës kanë parë që aty ndodheshin mami dhe motra. Për momentin nuk u kanë dhënë shumë informacion për shkak të gjendjes së tyre. Motra dhe mami kanë qenë të ulura pas shoferit”, u shpreh Ornela Lazaj për RTSH.
Sipas saj, të dyja vazhdojnë të jenë të traumatizuara nga ajo që përjetuan në autobus. Ato kanë rrëfyer se shoferi humbi kontrollin e mjetit dhe barriera mbrojtëse depërtoi përmes autobusit, ndërsa brenda dëgjoheshin britmat e pasagjerëve.
“Sot motra dhe mami janë në një spital privat në Greqi. Për momentin gjendja e tyre nuk është e mirë dhe më e rëndë është gjendja e motrës, e cila në aksident humbi këmbën e djathtë dhe pësoi dëmtime shumë të rënda në këmbën e majtë.
Mami ka humbur këmbën e majtë dhe ka dëmtime në brinjë dhe në pjesën e kraharorit. Motra do të ketë një tjetër operacion këtë fundjavë. Kemi pasur shumë persona që na kanë kontaktuar dhe gjaku është siguruar brenda një ore. I falënderoj të gjithë njerëzit që dhuruan gjak”, tha ajo.
Mjekët në Greqi vijojnë trajtimin e tyre, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që vajza të humbasë edhe një pjesë të këmbës së dytë, për shkak të dëmtimeve të rënda në shputë dhe thyerjeve të shumta të kockave.
“Motra dhe mami janë shumë të ngarkuara psikologjikisht. Tregojnë vazhdimisht për aksidentin që përjetuan. Thonë se si shoferi humbi kontrollin dhe barriera e përshkoi autobusin mes për mes, ndërsa dëgjonin vetëm të bërtiturat. Mami i thoshte motrës: ‘S’ka rëndësi që kemi humbur një këmbë, rëndësi ka që jemi gjallë.’
Në spitalin në Greqi kanë kryer ndërhyrjet e nevojshme pas amputimeve. Mjekët thonë se motra mund të humbasë edhe një pjesë të këmbës së dytë, pasi një pjesë e shputës ka pësuar thyerje të të gjitha kockave që lidhin kyçin me gishtërinjtë”, përfundoi Ornela Lazaj.


