Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, mori pjesë në pritjen dhe darkën zyrtare të organizuar nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe Zonja e Parë, Emine Erdoğan, në kuadër të Samitit të NATO-s që po zhvillohet në Ankara.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga momenti i mirëpritjes nga presidenti turk dhe bashkëshortja e tij. Pas përshëndetjes dhe shtrëngimit të duarve, liderët realizuan edhe fotografinë zyrtare të rastit.
Kryeministri shqiptar ndodhet në Ankara së bashku me delegacionin shqiptar për të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, ku janë mbledhur krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Aleancës, si edhe bashkëshortet e tyre.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, në kuadër të axhendës së samitit, Rama do të zhvillojë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dhe do të marrë pjesë në sesionin e punimeve me liderët e vendeve aleate.
Ndërkohë, të nesërmen, kryeministri shqiptar do të zhvillojë edhe një takim dypalësh me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ku pritet të diskutohen çështje me interes të përbashkët dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë samit konsiderohet një tjetër dëshmi e angazhimit të saj si aleate aktive dhe e besueshme në NATO, si edhe e kontributit të vazhdueshëm në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në hapësirën euroatlantike.


