Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi se më 9 dhe 10 korrik do të hapet procesi i aplikimit për formularët A1 dhe A1Z në kuadër të Maturës Shtetërore 2026, për kandidatët që synojnë të aplikojnë në institucionet e arsimit të lartë.
Sipas Kumbaros, procesi është i vlefshëm për të gjithë maturantët e viteve të mëparshme, si edhe për ata kandidatë që nuk kanë arritur të aplikojnë brenda afateve të mëparshme.
Aplikimet do të kryhen gjatë dy ditëve, 9 dhe 10 korrik, në intervalin orar 08:00–16:00.
Në bazë të urdhrit të Ministrisë së Arsimit, për zbatimin e këtij procesi janë ngarkuar Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP), Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar, si dhe institucionet arsimore.


