Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit të tij javor “Flasim”, prezantoi detaje nga akti normativ i buxhetit 2026, të cilin e cilësoi si një paketë të mundësuar nga rritja e të ardhurave ekonomike përtej parashikimeve.
Sipas tij, paketa e re përfshin një sërë masash me karakter social dhe ekonomik, mes të cilave bonus për pensionistët, rritje të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe 15 milionë euro shtesë për barnat e pacientëve me sëmundje onkologjike.
Rama deklaroi gjithashtu se parashikohet rritje e pagave për mjekët e urgjencës, si dhe zgjerim i garancisë sovrane për programet e zhvillimit ekonomik dhe mbështetjes së biznesit.
Ai theksoi se bonuset për pensionistët vijnë nga të ardhurat shtesë të ekonomisë, të cilat sipas tij janë krijuar edhe si pasojë e rishpërndarjes së efekteve të çmimeve të energjisë në favor të shtresave në nevojë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri komentoi edhe protestat e opozitës, duke i ndarë pjesëmarrësit në dy grupe: qytetarë me shqetësime reale dhe aktorë politikë që, sipas tij, nxisin tensione.
Rama njoftoi gjithashtu dyfishimin e fondit për programin “Startup Albania”, nga 3 në 6 milionë euro, duke e lidhur këtë vendim me rritjen e ndjeshme të aplikimeve. Sipas tij, programi ka kaluar nga më pak se 100 aplikime në fillim, në mbi 1200 këtë vit, duke reflektuar interesin në rritje të të rinjve për inovacionin dhe sipërmarrjen.
Ai shtoi se nëse ky trend vijon, edhe mbështetja financiare do të rritet më tej, me synim nxitjen e modernizimit ekonomik dhe përfshirjen e brezit të ri në ekonomi.


