Një 70-vjeçar është arrestuar në Has, pas një operacioni të zhvilluar nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.
Sipas autoriteteve, në pranga ka rënë shtetasi me inicialet Rr.U., i dyshuar për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Gjatë kontrolleve në fshatin Vlahen, Bashkia Has, u zbuluan tre parcela të mbjella me bimë të dyshuara cannabis sativa. Në total u konstatuan dhe u sekuestruan 1,874 bimë narkotike.
Kontrolli në banesën e të dyshuarit çoi gjithashtu në sekuestrimin e 73 fishekëve model 56, kalibër 7.62 mm, tre krehërëve automatiku bosh dhe dy fitilave zjarrëpërcjellës.
Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.


