Policia e Vlorës ka arrestuar në Dhërmi Granit Pepnikajn, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për një skemë të dyshuar mashtrimi financiar që synonte qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian përmes aktiviteteve të Call Center-ave.
Sipas burimeve, Pepnikaj u lokalizua gjatë një operacioni policor teksa fshihej në një rezidencë në Dhërmi. Pas identifikimit, efektivët bënë të mundur arrestimin e tij pa incidente.
Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet si pjesë e hetimeve për një rrjet të dyshuar mashtrimi financiar, ndërsa tashmë pritet të përballet me procedurat ligjore përkatëse.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publike detaje të plota mbi operacionin, ndërsa pritet që në vijim të japin informacion shtesë lidhur me rrethanat e arrestimit dhe ecurinë e hetimeve.


