Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit, ku u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Lamallari shfaq një moment ku një protestues hedh gurë në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit. Në reagimin e tij, ai thekson se aktet e dhunës nuk mund të konsiderohen protestë qytetare dhe se zbatimi i ligjit do të jetë përgjigjja ndaj çdo veprimi të tillë.
“Gurët u hodhën, maskat ranë! Kjo nuk ka asgjë qytetare si protestë dhe përgjigjja e merituar tani e tutje është vetëm një: forca e ligjit!”, shkroi ministri.
Protesta para Kuvendit u shoqërua me tensione dhe incidente gjatë gjithë ditës. Protestuesit bllokuan dhe rrethuan hyrjet e godinës, duke penguar për një periudhë daljen e deputetëve dhe ministrave pas përfundimit të seancës plenare.
Sipas Policisë së Shtetit, në përfundim të operacionit janë shoqëruar 18 shtetas në lidhje me ngjarjet e regjistruara gjatë protestës.


