Lideri i Hezbollahut, Naim Qassem, ka hedhur poshtë marrëveshjen e re të sigurisë mes Libanit dhe Izraelit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar atë si një “dorëzim” ndaj Izraelit, raportoi Reuters.
Qassem deklaroi se marrëveshja është “e pavlefshme” dhe akuzoi autoritetet libaneze për lëshime të njëanshme që, sipas tij, cenojnë sovranitetin e vendit. Ai kundërshtoi veçanërisht pikat që lidhen me tërheqjen graduale të forcave izraelite nga jugu i Libanit dhe njëkohësisht çarmatosjen e Hezbollahut.
Sipas tij, këto dispozita “legjitimojnë praninë ushtarake izraelite” dhe kalojnë “vijat e kuqe” të grupit, i cili konfirmoi se do të vijojë “rezistencën e armatosur”.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Autoritetet libaneze raportuan se një dron izraelit goditi zonën e Nabatieh al-Fawqa, jashtë zonave të përcaktuara në kuadrin e marrëveshjes së re të sigurisë.
Ushtria izraelite konfirmoi sulmin, duke deklaruar se objektivi ishte një person që përbënte kërcënim, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA parashikon tërheqje graduale të forcave izraelite nga disa zona të jugut të Libanit dhe vendosjen e ushtrisë libaneze, ndërsa një zonë sigurie e zgjeruar do të mbetet përkohësisht nën kontroll izraelit.
Hezbollahu dhe Irani pretendojnë se Uashingtoni kishte premtuar më herët përfundimin e armiqësive si pjesë e një mirëkuptimi më të gjerë rajonal, ndërsa Qassem ka kërkuar që ai kuadër të shërbejë si bazë për zgjidhjen e konfliktit.


