Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka sqaruar vendimin për shpalljen si person “të padëshiruar” të Ikballe Hudutit, duke theksuar se masa është marrë mbi bazën e informacioneve të grumbulluara nga agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë.
Lamallari u shpreh se institucionet shqiptare mbledhin në mënyrë të vazhdueshme informacione për persona që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë publike, sigurinë kombëtare apo interesin publik.
“Ne kemi vepruar duke akumuluar dhe përpunuar të gjithë informacionin që kemi disponuar… mbledhim informacion për shtetas të ndryshëm të cilët paraqesin kërcënim për sigurinë publike apo kombëtare”, u shpreh ai.
Sipas tij, në raste të caktuara përdoren edhe urdhra të përgjigjes parandaluese, të cilat kërkojnë miratimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), sidomos kur ka dyshime për financim të terrorizmit, nxitje të dhunës apo urrejtjes.
Ministri theksoi se e drejta për të protestuar është e garantuar, por pjesëmarrja në protesta nuk përbën imunitet për persona që dyshohen për veprimtari që cenojnë sigurinë.
“Pjesëmarrja në protestë nuk mund të përbëjë kurrsesi imunitet… detyra jonë është zbatimi i ligjit”, tha Lamallari.
Ai shtoi se çdo javë institucionet trajtojnë dhjetëra raste dhe kërkesa nga agjencitë ligjzbatuese, ndërsa paralajmëroi se edhe persona të tjerë mund të shpallen “non grata” nëse vlerësohet se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.


