Vendi ynë këtë të shtunë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit. Sipas parashikimit, kthjellimet do të alternohen me vranësira mesatare, të cilat do të jenë më të theksuara gjatë orëve të mesditës dhe pasdites në zonat malore të lindjes dhe juglindjes.
Reshje të dobëta, afatshkurtra dhe lokale priten kryesisht në lindje dhe jug të vendit, kryesisht në formën e pikave të shiut, ndërsa në zonat malore nuk përjashtohen shtrëngata të izoluara me kohëzgjatje të shkurtër. Në pjesën tjetër të territorit moti do të mbetet pa reshje, ndërsa pas orëve të pasdites reshjet do të ndërpriten plotësisht.
Sa i përket temperaturave, dita do të jetë shumë e nxehtë, me termometrin që do të ngjitet deri në 38 gradë Celsius në qarqet e Shkodrës, Lezhës dhe Beratit, duke i bërë këto zonat më të nxehta të vendit.
Era do të fryjë me drejtim verilindje–veriperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina, era do të forcohet herë pas here, duke arritur deri në 14 m/s.
Ndërkohë, deti do të jetë i qetë deri mesatarisht i trazuar, me valëzim 1-3 ballë në Adriatik dhe Jon./Radar.al


