Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale duke publikuar një video ku shfaqen disa shtetase me origjinë iraniane, të cilat janë bashkuar me protestat e zhvilluara në Tiranë kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit.
Në postimin e tij, Rama shkruan: “Dëgjojeni deri në fund kush ka ardhur ‘turist’ për të shpëtuar Shqipërinë”, duke iu referuar pjesëmarrjes së tyre në protestë.
Në video, vajzat deklarojnë se jetojnë në Kanada dhe se ndodhen prej disa ditësh në Shqipëri. Ato thonë se i janë bashkuar protestës në shenjë solidariteti me qytetarët shqiptarë, duke argumentuar se reagimi i tyre vjen nga shqetësimet për mënyrën se si, sipas tyre, institucionet nuk po dëgjojnë zërin e qytetarëve.
“Jemi bashkuar me popullin shqiptar në solidaritet, sepse qeveria nuk i dëgjon njerëzit dhe ata po protestojnë”, shprehen ato në video.
Më tej, ato theksojnë se qytetarët në vende të ndryshme përballen me sfida të ngjashme dhe ndajnë shqetësime të përbashkëta për qeverisjen dhe vendimmarrjen publike.
“Përballemi të gjithë me të njëjtat beteja. Kemi më shumë gjëra të përbashkëta mes nesh sesa me njerëzit që na qeverisin”, thuhet në deklaratat e tyre.


