Përplasja publike mes kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe historianit Olsi Jazexhi është ashpërsuar më tej, në sfondin e debateve për protestat e zhvilluara në Tiranë dhe pretendimet për ndikime të huaja.
Reagimi i Ballës erdhi pasi Jazexhi njoftoi në rrjetet sociale se po kërkonte një avokat për të ngritur padi për shpifje ndaj deputetit socialist. Historiani pretendon se është dëmtuar nga deklaratat e Ballës, i cili e ka akuzuar publikisht për lidhje me Iranin.
“Avokat për padi për Taulant Ballën. Kërkoj një avokat që do më ndihmojë (falas) për një padi për shpifje ndaj Taulant Ballës. Nëse dikush do të shohë qyfyre, e ftoj të më shkruaj sa më parë”, shkroi Jazexhi.
Në përgjigjen e tij, Balla përdori tone të forta, duke e cilësuar historianin si “shërbëtor të shtetit terrorist të Iranit” dhe duke e sfiduar të kthehej në Shqipëri për t’u përballur në gjykatë.
“Ti shërbëtor i shtetit terrorist të Iranit, hajde njëherë në Shqipëri, pastaj e bëjmë gjyqin te Laguna e Nartës po deshe dhe shohim se me kë qeshin edhe flamingot”, deklaroi Balla.
Më tej, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së iu drejtua edhe protestuesve, duke pretenduar se Jazexhi po tallej me ta përmes deklaratave satirike që lidhen me Iranin. Sipas Ballës, historiani kishte pretenduar me ironi se një dron i ri iranian do të quhej “Flamingo”, një referencë që deputeti socialist e interpretoi si tallje ndaj pjesëmarrësve në protesta.
Debati mes Ballës dhe Jazexhiut është pjesë e polemikave më të gjera politike që kanë shoqëruar protestat e fundit në vend, ku përfaqësues të mazhorancës kanë ngritur pretendime për ndikime të huaja, ndërsa kundërshtarët e tyre i kanë hedhur poshtë këto akuza si të pabazuara.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse paralajmërimi i Jazexhiut për padi do të konkretizohet në një proces gjyqësor, ndërsa shkëmbimi i akuzave mes palëve vijon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik.



