Një skemë kriminale e rëndë ka tronditur Britaninë e Madhe, pasi një grua që prezantohej si punonjëse seksi dhe bashkëpunëtori i saj kanë pranuar para gjykatës se drogonin burra për t’i grabitur, ndërsa dy prej viktimave humbën jetën si pasojë e helmimit.
Antina Mihai, 31 vjeçe, dhe Madalin Dumitru, 30 vjeç, u deklaruan fajtorë për vrasje nga pakujdesia të dy burrave, si dhe për raste të tjera helmimi dhe grabitjeje ndaj viktimave në jug të Anglisë.
Sipas hetimeve, gjatë periudhës nga gushti 2024 deri në korrik 2025, çifti kishte në shënjestër burra që kërkonin shërbime seksuale. Pasi merrnin pagesat paraprake, Mihai vizitonte viktimat në banesat e tyre dhe u jepte fshehurazi substancën GBL, e cila në organizëm shndërrohet në GHB, një lëndë me efekt të fortë qetësues dhe narkotik.
Mes viktimave fatale ishin 80-vjeçari Malcolm King nga Gloucestershire dhe 37-vjeçari Gary Muat nga Oxfordshire. Hetimet zbuluan se të dy ishin helmuar me të njëjtën substancë përpara se të grabiteshin.
Policia identifikoi gjithashtu dy burra të tjerë që kishin rënë pre e të njëjtit skenar, por që arritën të mbijetonin. Autoritetet po vazhdojnë verifikimet për të përcaktuar nëse ka edhe viktima të tjera të lidhura me aktivitetin e çiftit.
Gjatë seancës në Oxford Crown Court, të pandehurit pranuan akuzat kryesore dhe mbeten në paraburgim në pritje të shpalljes së dënimit. Gjykata ka paralajmëruar se ata përballen me dënime të gjata me burg.
Hetuesit e përshkruan skemën si një plan të paramenduar dhe cinik, ku viktimat drogohej fshehurazi, humbnin ndjenjat dhe më pas grabiteshin, me pasoja tragjike për dy prej tyre.


