Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka riafirmuar mbështetjen e vendit të tij për integrimin europian të Shqipërisë, pas takimit të zhvilluar në Paris me Kryeministrin Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Macron vlerësoi nivelin aktual të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar bashkëpunimin në fusha si inovacioni, arsimi, kultura dhe turizmi.
“Mirë se erdhe i dashur Edi Rama. Momenti shumë pozitiv në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës në fushat e inovacionit, arsimit, kulturës dhe turizmit, dëshmon për afërsinë tonë”, shkroi presidenti francez.
Macron nënvizoi gjithashtu se Parisi synon t’i japë një impuls të ri partneritetit dypalësh, duke forcuar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe atë në fushën e mbrojtjes.
Në mesazhin e tij, kreu i shtetit francez rikonfirmoi mbështetjen e Francës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar rëndësinë e vijimit të reformave të nevojshme për avancimin e vendit në rrugën drejt integrimit europian.
Deklarata vjen pas takimit mes dy liderëve në Pallatin Élysée, ku u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi strategjik dhe perspektiva europiane e Shqipërisë.


