Një ndjekje policore në Durrës është mbyllur me arratisjen e një 31-vjeçari të shpallur në kërkim, i cili pasi refuzoi t’i bindej urdhrit të Policisë për ndalim, përplasi pesë automjete të parkuara dhe u largua me vrap nga vendi i ngjarjes.
Sipas Policisë së Durrësit, ngjarja ndodhi rreth orës 12:45 në lagjen nr. 14, ku efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja” konstatuan një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe i bënë shenjë për të ndaluar. Drejtuesi i mjetit, identifikuar si Regi Xhanari, nuk iu bind urdhrit dhe vijoi largimin.
Gjatë tentativës për t’i shpëtuar Policisë, ai përplasi pesë automjete të parkuara, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Më pas, braktisi automjetin dhe u largua me vrap.
Forcat e Policisë u vunë menjëherë në ndjekje të tij dhe po vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe arrestimin e 31-vjeçarit.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se Regi Xhanari ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur ndaj tij për akuzën e mashtrimit.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave të saj.


