Marrëdhëniet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni duket se kanë hyrë në një fazë tensioni të dukshëm, duke zbehur raportin që më herët konsiderohej një nga bashkëpunimet më të afërta politike mes dy liderëve të krahut të djathtë.
Pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e tij të dytë, Meloni ishte ndër liderët evropianë që gëzonte marrëdhënie më të afërta me administratën amerikane. Madje, ftesa e saj në ceremoninë e betimit u pa si sinjal i një partneriteti të veçantë mes Uashingtonit dhe Romës.
Megjithatë, në muajt e fundit raportet mes tyre janë ftohur ndjeshëm. Tensionet u thelluan pas zhvillimeve të lidhura me konfliktet në Lindjen e Mesme, përfshirë përplasjet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, të cilat kanë ndikuar edhe në debatet politike në Itali.
Pika e kthesës u bë një deklaratë e Trump, i cili pretendoi se Meloni i kishte kërkuar të realizonin një fotografi gjatë samitit të G7. Kryeministrja italiane e hodhi poshtë këtë version, duke deklaruar se Italia nuk kërkon favore politike dhe se përfaqësohet me dinjitet në arenën ndërkombëtare.
Më pas, Trump kritikoi qëndrimet e Melonit ndaj NATO-s dhe zhvillimeve në Lindjen e Mesme, duke lënë të kuptohet se mosmarrëveshjet lidhen me refuzimin e Italisë për të mbështetur disa nisma amerikane.
Analistët politikë vlerësojnë se kjo situatë ka krijuar vështirësi për strategjinë e politikës së jashtme të Melonit, e cila ishte mbështetur në një raport të privilegjuar me presidentin amerikan. Ndërkohë, opozita në Itali e ka përdorur përplasjen për të kritikuar qeverinë, duke argumentuar se afrimi me Trump nuk ka sjellë përfitimet e pritshme.
Pavarësisht tensioneve, mbetet e paqartë nëse ky përplasje do të ketë pasoja afatgjata në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Italisë, ndërsa situata shihet si një test i rëndësishëm për balancat diplomatike mes dy vendeve.
Io e l’Italia non imploriamo mai. pic.twitter.com/sTpKlqWB67
— Giorgia Meloni (@GiorgiaMeloni) June 19, 2026


