Autoritetet shëndetësore në Republikën Demokratike të Kongos kanë raportuar një rritje shqetësuese të rasteve të virusit Ebola, ndërsa epidemia po vijon të përhapet në disa rajone të vendit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i rasteve të konfirmuara në laborator ka arritur në 933, ndërsa 245 persona kanë humbur jetën si pasojë e infektimit. Po ashtu, 80 pacientë janë shëruar dhe janë larguar nga qendrat e trajtimit.
Shpërthimi aktual i epidemisë është shpallur zyrtarisht më 15 maj dhe lidhet me variantin Bubaquio të virusit Ebola, një formë e rrallë për të cilën nuk ekziston aktualisht trajtim specifik apo vaksinë e dedikuar.
Autoritetet dyshojnë se virusi ka qarkulluar për një periudhë kohe në komunitet përpara se të identifikohej zyrtarisht, duke kontribuar në përhapjen e tij të shpejtë.
Ebola mbetet një nga sëmundjet më vdekjeprurëse infektive në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ajo ka shkaktuar mbi 15 mijë viktima në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit, me një shkallë vdekshmërie që varion nga 25 deri në 90 për qind, në varësi të variantit dhe kushteve të trajtimit.
Republika Demokratike e Kongos ka përjetuar disa shpërthime të mëparshme të Ebolës, ku më i rëndë mbetet ai i viteve 2018–2020, kur rreth 2,300 persona humbën jetën nga afro 3,500 raste të konfirmuara.
Autoritetet vendase, së bashku me organizatat ndërkombëtare të shëndetësisë, po intensifikojnë përpjekjet për të frenuar përhapjen e virusit dhe për të trajtuar të prekurit në zonat më të goditura.


