Një konflikt mes dy familjeve ka përfunduar në mënyrë tragjike në Prizren, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën pasi është goditur me thikë gjatë një përplasjeje mes kushërinjve.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:50 në fshatin Kobaj. Gjatë konfliktit, i riu ka marrë plagë të rënda me mjet prerës dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve.
Nga përplasja ka mbetur i plagosur edhe babai i viktimës, 57 vjeç, i cili ka marrë ndihmë mjekësore për lëndimet e pësuara.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, ndërsa personat e dyshuar dhe familjarë të viktimës janë shoqëruar në komisariat.
Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë në zonë, ndërsa hetimet po vijojnë në bashkëpunim me prokurorinë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.


