Katari ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për përpjekjet diplomatike të Pakistanit në ndërmjetësimin e negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke shfaqur optimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në të ardhmen e afërt.
Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin pakistanez, Shehbaz Sharif, kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, vlerësoi ecurinë e deritanishme të negociatave dhe zhvillimet pozitive të raportuara nga pala pakistaneze.
Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve të Katarit, Al-Thani shprehu besimin se progresi i arritur deri tani mund të krijojë kushtet për një marrëveshje mes Shtetet e Bashkuara dhe Iran, duke kontribuar në uljen e tensioneve dhe forcimin e stabilitetit rajonal.
Kreu i qeverisë së Katarit ritheksoi gjithashtu mbështetjen për rolin ndërmjetësues të Pakistan dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit konstruktiv mes të gjitha palëve të përfshira në procesin diplomatik.
Sipas tij, përgjigjja pozitive ndaj iniciativave diplomatike mbetet një element kyç për krijimin e një klime besimi dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të ndihmonte në garantimin e paqes dhe sigurisë afatgjatë në rajon.
Deklaratat vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike për afrimin e qëndrimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit po ndiqen me vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar, për shkak të ndikimit që një marrëveshje e mundshme do të kishte në stabilitetin e Lindjes së Mesme.


