Një ndeshje hapëse e Kupës së Botës kundër Gjermanisë dhe një përballje me Manuel Nojerin, për portierin numër 1 të Kuraçaos, Eloj Rum, vetëm një gjë do të ishte më e madhe: një surprizë të dielën.
Eloj Rum po e ndjek me shumë interes rikthimin e Manuel Nojerit. A do të jetë fituesi i Kupës së Botës 2014 mes shtyllave të dielën, kur Kuraçao do të debutoj në Kupën e Botës kundër kombëtares gjermane? Rum shpreson që po.
“Shpresoj që të luaj. Ai është një nga idhujt e mi,” thotë portieri i ishullit të vogël të Karaibeve.
Një përballje në Hjuston do të vinte përballë dy nga portierët më të vjetër të turneut: Rum, 37 vjeç, dhe Nojer, tre vite më i madh. Rum ka respekt të madh për gjermanin, të cilin e quan një “legjendë”: “Për Gjermaninë është lluks të ketë sërish në dispozicion një portier si ai, sepse edhe Oliver Bauman është një portier i jashtëzakonshëm.”
Megjithatë, Nojer mbetet “një nga më të mëdhenjtë”. Ajo që e impresionon më shumë është qëndrueshmëria e tij: “Ai ka luajtur në nivelin më të lartë për shumë vite dhe vazhdimisht e ka dëshmuar klasën e tij. Ai e ka ndryshuar rolin e portierit me stilin e tij të lojës. Gjermania ka disa portierë të shkëlqyer, por Nojer ndoshta është në një nivel krejt tjetër.”
Edhe vetë Rum është një legjendë në Kuraçao me 72 paraqitje ndërkombëtare dhe, së bashku me kapitenin Leandro Bakuna, mban rekordin për më shumë ndeshje me kombëtaren. Kuraçao hyn në këtë ndeshje si favorit absolut për humbje, por skuadra nuk frikësohet nga emrat e mëdhenj.
“Kemi besim te aftësitë tona. Në Kupën e Botës ndodhin gjithmonë surpriza. Shpresojmë të jemi një prej tyre,” thotë portieri i klubit të ligës së dytë amerikane Majemi FC.
Kuraçao, me vetëm 158 mijë banorë dhe tashmë vendi më i vogël që ka marrë pjesë ndonjëherë në një Kupë Bote, synon të kompensoj cilësinë individuale më të lartë të Gjermanisë me shpirt skuadre dhe përkushtim.
“Forca jonë më e madhe është uniteti. Njihemi prej vitesh, kemi koordinim të mirë dhe japim gjithmonë 100 përqind. Çelësi do të jetë stabiliteti ynë mbrojtës. Zakonisht luajmë në mënyrë sulmuese, por kundër Gjermanisë duhet të jemi më kompaktë dhe të mbështetemi te kundërsulmet. Kemi shpejtësinë e nevojshme për këtë, me shumë lojtarë të shpejtë dhe teknikisht të talentuar,” thotë Rum dhe shton: “Duam të tregojmë të dielën se jemi të aftë të shkaktojmë një surprizë.”/PanoramaSport


