Partia Socialiste shënon sot 35-vjetorin e themelimit me një aktivitet festiv në Sheshin Italia në Tiranë, ku pritet të marrin pjesë socialistë nga të gjitha qarqet e vendit. Përgatitjet për eventin kanë nisur që gjatë pasdites me ngritjen e podiumit dhe organizimin e hapësirës ku do të zhvillohet ceremonia.
Ky përvjetor vjen pas një turi mirënjohjeje të zhvilluar në 12 qarqet e Shqipërisë, ku janë vlerësuar kontributet e anëtarëve dhe mbështetësve të partisë ndër vite. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, kryetari i PS-së, Edi Rama, uroi anëtarët e partisë, duke theksuar angazhimin për realizimin e objektivit të Shqipërisë drejt integrimit europian deri në vitin 2030.
35-vjetori e gjen Partinë Socialiste në mandatin e saj të katërt qeverisës, në një periudhë të shoqëruar me zhvillime të rëndësishme politike dhe protesta të opozitës. Në fjalën e tij para mbështetësve, pritet që Rama të ndalet te bilanci i qeverisjes, projektet strategjike të zhvillimit dhe sfidat e së ardhmes.
Atmosfera e kësaj dite përkon edhe me zhvillimin e një proteste në qendër të Tiranës, e cila do të mbahet në afërsi të zonës ku zhvillohet aktiviteti i socialistëve. Për këtë arsye, Policia e Tiranës ka marrë masa të posaçme sigurie dhe ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Për shkak të organizimit të aktivitetit dhe tubimit, nga ora 16:00 do të ketë bllokime dhe devijime të trafikut në segmentet përreth rrugës “Papa Gjon Pali II”, rrugës “Ibrahim Rugova”, si dhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në sheshin “Nënë Tereza”.
Ky përvjetor ka edhe një ngarkesë të veçantë simbolike për socialistët, pasi zhvillohet në mungesë të disa figurave historike që kanë lënë gjurmë në historinë e kësaj force politike.


