Kancelari Merz mbrojti reformat e qeverisë, migracionin dhe politikat evropiane, ndërsa kryetarja e AfD-së, Weidel, e quajti fjalimin e tij “një lamtumirë për një politikan të pasuksesshëm”.
Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) mbrojti kursin e reformave të qeverisë së tij në Bundestag, duke u bërë thirrje partive politike, punëdhënësve, sindikatave dhe qytetarëve të kontribuojnë në ndryshimet që duhet të forcojnë ekonominë dhe sistemin social gjerman.
Reformat janë të nevojshme
Në një deklaratë qeveritare, përpara samitit të ardhshëm të Bashkimit Evropian në Bruksel, Merz tha se Gjermania duhet të përdorë potencialin e saj për t’iu përgjigjur sfidave ekonomike dhe gjeopolitike. Ai theksoi se reformat janë të nevojshme për shkak të humbjes së vendeve të punës në industri, kostove të larta të biznesit dhe barrës administrative. “Ose duhet të bëjmë ndryshime që nënkuptojnë fillimisht kufizime të caktuara, ose përdorim pikat tona të forta dhe potencialin për ta ndryshuar situatën”, tha Kancelari.
Merz i kushtoi një pjesë të madhe të fjalimit të tij politikës evropiane dhe të jashtme. Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të forcojë konkurrueshmërinë e tij, të zvogëlojë burokracinë dhe të mbrojë interesat e tij në tregtinë globale. Merz e përshkroi Gjermaninë si “iniciatoren dhe udhëheqësen” e proceseve të reformave evropiane.
Duke folur për politikën e migracionit, Merz përshëndeti reformën e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (CEAS), i cili hyn në fuqi të premten. Ai e përshkroi atë si “hapin më domethënës drejt zgjidhjes së problemit” dhe tha se një kthesë në politikën e migracionit kishte filluar tashmë në nivel kombëtar dhe evropian.
Duke folur për luftën në Ukrainë, Kancelari përsëriti mbështetjen e tij për Kievin dhe theksoi se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes negociatave që përfshijnë Ukrainën, Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.
Weidel: “Një fjalim i lamtumirës nga një politikan i pasuksesshëm”
Gjatë debatit, pati edhe një përplasje verbale me deputetët e AfD-së. Duke reaguar ndaj fyerjeve nga bankat e opozitës, Merz akuzoi AfD-në se “po qesh me fatin e miliona njerëzve në Ukrainë” duke aluduar për vizitat e disa anëtarëve të partisë AfD në Rusi. “Ju udhëtoni për në Rusi për t’u pritur me shampanjë. Udhëtim të mbarë atje, udhëtim të mbarë!”, tha Kancelari, pas së cilës mori duartrokitje të gjata nga shumica e deputetëve.
Bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, iu përgjigj ashpër fjalimit të Merzit, duke e quajtur fjalimin e Kancelarit “një fjalim lamtumire nga një politikan i pasuksesshëm”.
Ajo akuzoi qeverinë për deindustrializimin e vendit, rritjen e burokracisë dhe politikat ekonomike të gabuara. Sipas saj, taksat e larta, kostot e energjisë dhe barrat administrative po i largojnë kompanitë nga Gjermania, ndërsa në të njëjtën kohë vazhdon “migrimi masiv”, të cilin ajo e përshkroi si të dëmshëm për sistemin social.
Politikania e AfD-së pretendon se qeveria po kërkon punë më të gjatë, kontribute më të larta dhe sakrifica më të mëdha financiare nga qytetarët, ndërsa në të njëjtën kohë rrit përfitimet sociale për migrantët.
Duke iu drejtuar Kancelarit, Weidel tha se ai ka dy mundësi: të ndërpriste bashkëpunimin me Partinë Socialdemokrate (SPD) dhe të kërkonte shumica të reja parlamentare, ose të përballej me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Gjatë debatit, ajo bëri gjithashtu kritika personale ndaj Zëvendëskancelarit dhe Ministrit të Financave Lars Klingbeil, si dhe ndaj SPD-së në tërësi.
Hasselmann: Mblidhni mendjen!
Gjatë debatit në Bundestag, udhëheqësja e Partisë së Gjelbër Britta Hasselmann kritikoi ashpër Kancelarin Merz, duke thënë se po mungojnë hapat konkretë. Sipas saj, fjala “reformë” është bërë një sinonim i shkurtimeve dhe reduktimeve.
“Mblidhni mendjen! Mbani premtimet tuaja! Trajtojini njerëzit me respekt!”, tha Hasselmann.
Duke folur për problemet ekonomike të vendit, ajo tha se pas njoftimeve për reformat për vjeshtën e kaluar, qytetarët përjetuan një “dimër zhgënjimi”. “Dhe në pranverë, ju ishit kryesisht të shqetësuar për veten dhe ndjenit keqardhje për veten. Kjo nuk është ajo që pritet nga një Kancelar federal”, tha Hasselmann.
Reformat në fokus në javët e ardhshme
Qeveria e Merz planifikon të paraqesë një paketë reformash deri në pushimet e verës që do të mbulonte tregun e punës, sigurimet shoqërore, sistemin tatimor dhe reduktimin e burokracisë. Një ditë para debatit në Bundestag, Kancelari diskutoi këto çështje me përfaqësuesit e punëdhënësve dhe sindikatave, dhe të dyja palët njoftuan konsultime të vazhdueshme.
Debati në Bundestag tregoi, megjithatë, se procesi i ardhshëm i reformave do të shoqërohet me konflikte të mprehta politike midis koalicionit qeverisës dhe AfD-së në opozitë, veçanërisht kur bëhet fjalë për ekonominë, migracionin dhe politikën ndaj Ukrainës.


