LUSHNJE– Policia ka vënë në pranga një 19-vjeçar në Lushnjë pasi dyshohet se ka plagosur me thikë një 26-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta. Ngjarja u zbulua pasi i plagosuri, shtetasi Erbion Çerraga, u paraqit në spital për ndihmë mjekësore. Menjëherë pas njoftimit, policia organizoi veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Brenda pak orësh, uniformat blu arritën të identifikojnë dhe arrestojnë shtetasin Denis Hoxha, 19 vjeç, banues në fshatin Stan Karbunarë. Sipas hetimeve paraprake, i riu ka goditur me thikë 26-vjeçarin gjatë një konflikti. I plagosuri ndodhet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit në banesën e 19-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi 48.160 euro dhe 7.200 dollarë, të dyshuara si të falsifikuara, të cilat mendohet se do të hidheshin në treg.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë
Plagosi me thikë një 26-vjeçar, arrestohet 19-vjeçari. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 48 160 euro dhe 7 200 dollarë të dyshuara të falsifikuara, që dyshohet se do të nxirreshin në treg.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, menjëherë pas njoftimit se në spital ishte paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi E. Ç., 26 vjeç, i plagosur me mjet prerës (thikë), organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, brenda pak orësh u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi D. H., 19 vjeç, banues në fshatin Stan Karbunarë, Lushnjë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me thikë shtetasin E. Ç., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit të banesës së 19-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 48 160 euro dhe 7 200 dollarë, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara dhe posedoheshin me qëllim nxjerrjen në qarkullim. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Fier arrestuan shtetasin D. H., për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Falsifikimi i monedhave”./Radar.al


