I ftuar në podcastin “Pjaca” në “Radar media”, nën moderimin e gazetarit të njohur Alfred Peza, ishte Artan Dulaku, një nga sipërmarrësit më të suksesshëm dhe më të rëndësishëm në vend, si edhe drejtues i një prej mediave më me ndikim në Shqipëri, Vizion Plus, në një nga daljet e tij të rralla publike.
Në këtë intervistë, Dulaku ndalet te zhvillimet në tregun e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, duke ndarë qëndrimet e tij për investimet, çmimet, bregdetin dhe perspektivën ekonomike të vendit, në një rrëfim të drejtpërdrejtë dhe pa filtra.
I pyetur nga Alfred Peza se ku janë investimet më të mëdha dhe a do preket Shqipëria nga një krizë, ai shprehet se vendi ka dy kantiere më të mëdha ndërtimi.
“Ne luftuam të vinim në kapitalizëm, i cili e ka brenda zhvillimin ciklik dhe gjithmonë ka një krizë. Në Tiranë dhe në bregdet janë dy kantieret më të mëdha të ndërtimit. Në bregdet ka hapësira, ndërsa në Tiranë ka filluar një fazë “ngopjeje”. Blerësit mund ta shohin këtë si një opsion për të pasur më shumë zgjedhje. Do t’u rekomandoja kompani serioze, nuk është e rëndësishme 100 euro më pak apo më shumë, aq sa është e rëndësishme të shesësh më vonë atë ku ke derdhur gjakun dhe lodhjen. Kur blen shtëpinë e parë, blen edhe shtëpinë e dytë”, tha Dulaku.
Më pas i pyetur nga Alfred Peza se kush po blen në Shqipëri dhe zonat ku po investohet, ai shprehet se Tirana dhe bregdeti ka kërkesa nga të huajt.
“Janë 30 mijë italianë rezidentë në Shqipëri dhe e kanë lehtësuar tregun. Kishim një ekip të interesuar nga Polonia për të blerë ndërtimet tona. Unë u ofrova bregdetin, por interesi i tyre ishte për Tiranën. Ne po presim të hyjmë në BE, kur kjo ndodh, rriten çmimet dhe automatikisht përfundon një operacion imobiliar i suksesshëm. Ne futemi në Europë për pak vite dhe këta e shohin si mundësi: 100 mijë euro për një polak nuk janë gjë kur të ardhurat e tyre janë të larta, kur ata investojnë këtu, nuk kanë as taksa”, tha Artan Dulaku.


