Katër herë kampioni i botës në Formula 1, Alain Prost, ka përjetuar një sulm të rëndë gjatë një grabitjeje në vilën e tij në Nyon, pranë liqenit të Gjenevës në Zvicër.
Sipas mediave zvicerane, ngjarja ka ndodhur të martën në mëngjes rreth orës 08:30, kur një grup personash të armatosur ka hyrë në banesë dhe ka sulmuar menjëherë ish-kampionin e Formula 1, duke e goditur dhe duke i shkaktuar dëmtime në kokë.
Autorët më pas kanë kërcënuar djalin e tij, duke e detyruar të hapë kasafortën e shtëpisë, nga ku janë marrë para dhe sende me vlerë. Raportohet se Prost është një nga figurat promovuese të markës së orëve luksoze “Richard Mille”, çka dyshohet të ketë tërhequr vëmendjen e grabitësve.
Policia zvicerane ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet, por autorët dyshohet se janë larguar drejt Francës pas ngjarjes.
Pas trajtimit mjekësor në një spital kantonal, Prost ka vendosur të largohet drejt Dubait, ku kalon një pjesë të madhe të kohës së tij.


