Shtetet anëtare të Bashkimi Evropian po shqyrtojnë krijimin e një kanali të posaçëm komunikimi me presidentin rus Vladimir Putin, në rast të negociatave të ardhshme për luftën në Ukrainë, raporton Financial Times.
Sipas raportimit, ideja parashikon emërimin e një figure të lartë evropiane që do të përfaqësonte BE-në në kontaktet potenciale me Moskën, në një përpjekje për të rivendosur një linjë zyrtare dialogu pas ngrirjes së marrëdhënieve që nga viti 2022.
Mes emrave që po diskutohen për një rol të tillë përmenden ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi, ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, si dhe ish-presidentët finlandezë Alexander Stubb dhe Sauli Niinistö.
Çështja pritet të diskutohet nga ministrat e jashtëm të BE-së në një takim në Qipro javën e ardhshme, ndërsa në Bruksel debati mbetet ende në faza të hershme dhe i ndarë mes vendeve anëtare.
Sipas burimeve të cituara nga Financial Times, administrata amerikane e Donald Trump nuk ka shprehur kundërshtime ndaj mundësisë që Evropa të zhvillojë kontakte paralele me Rusinë, përveç negociatave të udhëhequra nga SHBA.
Që nga viti 2022, Bashkimi Evropian ka pezulluar pothuajse të gjitha kanalet zyrtare të komunikimit me Kremlinin, me përjashtime të kufizuara në nivele teknike. Megjithatë, mungesa e përparimit në procesin e paqes në Ukrainë ka shtuar shqetësimet se BE rrezikon të mbetet jashtë negociatave kryesore.
Zyrtarë evropianë theksojnë se ende nuk ka konsensus për krijimin e një të dërguari të posaçëm, si për profilin e tij ashtu edhe për mandatin që do të kishte në një dialog të mundshëm me Moskën. Në këtë debat, Draghi shihet si një opsion teknokratik dhe i besueshëm, ndërsa kandidatura e Merkelit përballet me kundërshti politike, sidomos në Gjermani, për shkak të trashëgimisë së politikave të saj ndaj Rusisë.


