Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të tolerojnë më praninë e një “shteti të izoluar dhe armiqësor” si Kuba pranë territorit amerikan, duke paralajmëruar se Uashingtoni do të vazhdojë presionin ndaj Havanës derisa populli kuban të fitojë lirinë.
Në deklaratat e tij, Trump akuzoi qeverinë kubane se po lejon operacione ushtarake, aktivitete spiunazhi dhe struktura të huaja që, sipas tij, përbëjnë kërcënim për sigurinë amerikane.
“SHBA nuk do të tolerojë një shtet të izoluar që strehon operacione ushtarake, spiunazhi dhe terroriste vetëm 90 milje nga territori amerikan. Nuk do të qetësohemi derisa populli i Kubës të ketë liri”, u shpreh Trump.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të rritura mes Uashingtonit dhe Havanës, ndërsa administrata amerikane ka shtuar presionin diplomatik dhe ekonomik ndaj regjimit kuban.
Një rol të rëndësishëm në këtë qasje po luan edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili ka mbajtur qëndrime të forta kundër qeverisë kubane dhe ka propozuar një “marrëdhënie të re” mes SHBA-së dhe popullit kuban.
Rubio ka akuzuar strukturat ushtarake që kontrollojnë ekonominë e Kubës se dominojnë sektorët kryesorë të vendit dhe përfitojnë në kurriz të qytetarëve, ndërsa ka theksuar se ndihma amerikane duhet të shkojë drejtpërdrejt te popullsia dhe jo përmes institucioneve të lidhura me regjimin.
Sipas tij, kriza e rëndë ekonomike në Kubë është pasojë e keqqeverisjes dhe jo mungesës së burimeve, ndërsa SHBA ka paralajmëruar edhe ashpërsim të mëtejshëm të sanksioneve ndaj Havanës.
Qëndrimi i administratës amerikane vjen në një periudhë kur Kuba po përballet me vështirësi të thella ekonomike, mungesa të shumta dhe rritje të pakënaqësive sociale në ishull.


